07:39 pm - Friday 27 November 2020
4°C
Tiranë

Vuçiç: Me bisedime dhe dialog me shqiptarët do t’i zgjidhim problemet

Paradoks | 22:02 - 20.01.2018

Graçanicë – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, sonte bisedoi me qytetarët serbë nga të gjitha pjesët e Kosovës në sallën e stërmbushur të Qendrës Kulturore në Llapllasellë të Komunës së Graçanicës, ndërsa rreth 3.000 qytetarë e ndoqën bisedën, raporton Anadolu Agency.

Takimi filloi me një minutë heshtje për shkak të vrasjes së Oliver Ivanoviçit para katër ditësh, liderit të Iniciativës Qytetare “Liri, Demokraci, Drejtësi”. Duke folur para të pranishmëve, Vuçiç tha se Serbia në mënyra të ndryshme po i ndihmon serbët e Kosovës dhe se me bisedime dhe dialog me shqiptarët do të zgjidhin problemet e tyre dhe do të ruajnë paqen. Ai theksoi se interesi më i madh i Serbisë është që serbët të qëndrojnë në Kosovë dhe të mos jenë më pak se sot.

“Ne nuk kemi frikë nga askush, por mendoj se ka kaluar koha kur ne i kemi përmbushur qëllimet në një mënyrë tjetër. Sot është koha kur qëllimet tona mund t’i realizojmë me diturinë dhe zellin tonë. Ju duhet patjetër të jeni mjaft të fortë për të gjithë ne dhe të qëndroni këtu, ndërsa ne duhet të jemi të kujdesshëm dhe t’u ndihmojmë”, tha Vuçiç në bisedën të cilën e ndoqën një numër i qytetarëve serbë.

Presidentit serb iu drejtua njëra nga të pranishmet, Danijela Tomasheviç nga Syrigana (Suvo Gërllo), Komuna e Skënderajt. Ajo e falënderoi presidentin Vuçiç për vizitën dhe ia paraqiti, siç tha ajo, problemin e serbëve nga fshati i saj.

“Tek ne nuk ka mjekë ndërsa ka shumë fëmijë, kështu që nëse keni mundësi të na ndihmoni në këtë drejtim”, tha Danijela.

Ajo tha se ka një ambulancë, por se vetëm infermieret punojnë. Kryeministri i premtoi asaj që ajo do të merrte përgjigjen gjatë mbrëmjes, kështu që në më pak se një orë do të zgjidhte problemin duke u zotuar se mjeku do të vinte në fshatin e saj tri herë në javë.

Petar Aksiç nga Koretishta, afër Gjilanit, ngriti problemin e shitjes së pronës, ndërsa Nebojsha Nikoliç nga Llapllasella kërkoi ndihmë financiare për trajtimin e djalit të tij të sëmurë, i cili vuan nga një sëmundje e rrallë dhe kishte nevojë për transplatim të palcës së eshtrave në Itali.

Vuçiçi pyeti se sa para nevojiten ndërsa Nikoliç u përgjigj se duhen rreth 150 mijë euro. Më tej presidenti serb tha se kjo është një punë e kryer.

Biseda vazhdoi me paraqitjen e problemeve të ndryshme nga ana e qytetarëve, kurse Vuçiç premtoi se biseda do të zgjaste për aq kohë sa ajo është e nevojshme.

Para bisedës në Llapllasellë dhe pas vizitës në Mitrovicë, gjegjësisht në pjesën e banuar me shumicë serbe, Vuçiç vizitoi familjen e Zoran dhe Nevena Steviç, të cilët kanë katër fëmijë dhe nëntë nipër e mbesa dhe të cilët festonin pagëzimin e Jezu Krishtit nga Shën Gjoni.

Kujtojmë se 64 vjeçari Oliver Ivanoviç u vra mëngjesin e 16 janarit para selisë së partisë së tij në pjesën e Mitrovicës me shumicë serbe. Policia e Kosovës ofroi 10 mijë euro për informacion mbi vrasjen. Beogradi zyrtar ka kërkuar që autoritetet serbe të përfshihen në hetim, ndërsa udhëheqësit e Kosovës kanë deklaruar se janë të gatshëm për bashkëpunim me Serbinë përmes shkëmbimit të informacionit, por se hetimi do të udhëhiqet nga institucionet e Kosovës.

Ivanoviç ishte një nga politikanët kryesorë në veri të Kosovës, të dominuar nga serbët. Ivanoviç, i cili komandonte grupet paramilitare serbe në luftën në Kosovë, u dënua me 9 vjet burgim në vitin 2016 për krimet e kryera gjatë luftës kundër civilëve shqiptarë. Gjykata Supreme e ndryshoi vendimin në vitin 2017 dhe urdhëroi rigjykim.


Etiketa: