10:58 pm - Tuesday 24 November 2020
3°C
Tiranë

U bënë tash një vit pa Astritin

Paradoks | 00:54 - 06.11.2017

Autor: Visar YMERI

U bënë tash një vit pa Astritin.
Që i bie një vit padrejtësi për të.
Më 5 nëntor 2016 Astriti vdiq në burgun e Prizrenit.
Pak kohë pas vdekjes Komandanti i Policisë për Prizren Nexhmi Krasniqi pati deklaruar se vdekja është shkaktuar nga përdorimi i mbidozuar i medikamenteve.
Dy ditë pas autopsia e dëshmon që vdekja ka ardhur si rezultat i ngulfatjes.
Po ashtu analizat e gjakut e dëshmojnë se nuk ka pasur fare përdorim të medikamenteve.
Menjëherë pas publikimit të raportit zyrtar të autopsisë prokurori i rastit Sylë Hoxha nxjerrë përfundimin se Astriti ka bërë vetëvrasje.
Në këtë rast ai e falsifikon atë që thuhet në raportin zyrtar të autopsisë e që nuk e konstaton një gjë të tillë.
Më pas një tjetër prokuror Biraj i vazhdoi hetimet.
Prokurori Syla tash është promovuar në Prokurorinë Speciale. Ai ishte një ndër akterët e aferës Pronto.

Vazhdimisht është deklaruar nga Prokurori se provat janë në duar të sigurta, në duart e Policisë. Ndërkohë që pak kohë pas në televizionin Klan shfaqen xhirimet nga korridori i burgut në ditën dhe kohën e vdekjes së Astritit.
Në ato shihet qartë se me çfarë neglizhence fatale trajtohet Astriti pasi që gjendet në dhomën e burgut. Atij fillon t’i jipet ndihma e parë mjekësore më shumë se 4 minuta pasi që gjendet në dhomë i shtrirë e me shumë materiale të përgjakura përreth.
Ndërkohë që punëtorja shëndetësore që e para e trajton Astritin në dhomë deklaron se ai është gjetur me shenja jete. Pra ka pasur gjasa të shpëtohet. Por duket jo edhe vullnet që të shpëtohet.

Autopsia është bërë nga 3 zyrtar mjekoligjor dhe 2 ekspertë me përvojë të theksuar nga Tirana dhe Londra të angazhuar nga familja.
Ka dallime të mëdha mes dy raporteve të përgatitura nga këto dy ekipe. Prokurori i rastit deklaron se raportin e ekpsertëve të angazhuar nga familja nuk do ta marrin fare parasysh.
Më vonë edhe dëshmitari kryesor në rastin e Astritit, Naser Makolli i cili ishte i fundit që e kishte parë Astritin para se të dilte në shetitje dhe i pari që e gjeti në dhomë në ditën e vdekjes, po ashtu vdes në Burgun e Lipjanit. Edhe ky në rrethana të dyshmita.
Pas miratimit të Rezolutës së Kuvendit, kërkesa nga familja për hetim të pavarur nga Instituti zviceran ka kohë që është dorëzuar. Përgjigja vazhdimisht është zvarritur. Pas një kohe të gjatë Ministrja e Drejtësisë Dhurata Hoxha i kthen përgjigje avoktatit të familjes duke i kërkuar që kërkesën ta drejtojë te kryeministri.

I tërë procesi i hetimeve është trajtuar në atë mënyrë që të fshihet e vërteta. Gjatë tërë procesit edhe prokuroria edhe policia kanë qenë të angazhuara kryekëput në orientimin e opinionit publik karshi rastit e jo në zbardhjen e tij.
Organet shtetërore kanë përgjegjësi të drejtpërdrejt në këtë rast. Edhe në vdekjen si të tillë në burg, ku Astritit të privuar padrejtësisht nga liria iu mohua kriminalisht siguria. Edhe në pengimin e hetimit të pavarur që po e pengon zbardhjen e rastit.
Më 29 gusht 2016 Astriti bashkë me Frashërin, Atdheun, Adean, Egzonin e Petritin ishin arrestuar nga njësitet speciale të policisë.

Asnjë bazë e provë për arrestimin.
Krejt çka kishin policia atë ditë ishte urdhëri nga lartë, dhe armët e shumta që i kishin sjellë me vete. Për t’i frikësuar aktivistët. Për t’ua tmerruar familjet.
Kështu i terrorizuan ata, terrorizuan shoqërinë, terrorizuan secilin qytetarë.
Dhe kështu filloi përndjekja e këtyre gjashtëve. Me mjete terrori e frikësimi.
Ndërsa i akuzonin për terrorizëm.

Shpejtë rrjeti përgjegjës për këtë terror doli në shesh.
Policia përmes Shpend Maxhunit, Fatos Makollit, Luan Kekës e Nexhmi Krasniqit. Këta bashkë e montuan rastin kundër aktivistëve tanë, dhe e konstatuan me shpejtësi shkakun e vdekjes së Astritit. Edhe rasti edhe shkaku i vdekjes dolën të kenë qenë të pavërteta.
Gjyqësori përmes Dhurata Hoxhës, Sylë Hoxhës, Metush Birrajt, Abdurrahim Islamit, Vehbi Kashtanjevës. Këta u bënë bashkë në përndjekjen policore nga pozitat e tyre duke e fshehur të vërtetën, dhe duke e mbajtur rastin gjallë edhe sot e kësaj dite. Me veprimet e tyre dhe deklaratat publike këta e orientuan qëllimisht hetimin për vdekjen e Astritit andej kah i konvenonte regjimit e jo kah e drejta dhe e vërteta.
RTK përmes Mentor Shalës e Ridvan Berishës. RTK ishte tërësisht në funksion të pushtetit karshi këtij rasti, duke i akuzuar madje edhe para policisë aktivistët tanë për sulmin mbi ndërtesën e Kuvendit.

Të gjithë këta si një zinxhir u bënë pjesë e këtij krimi. Krim ky ndaj qytetarëve të vendit. Krim që e dërgoi Astritin në çeli. Dhe që nuk e la të dalë nga aty i gjallë.
Kjo është përgjegjësi e drejtpërdrejt e tyre.
Tash një vit e tërë Kosova kërkonte drejtësi për Astritin.
Tash një vit kërkojmë hetim të pavarur për Astritin.
Në asnjë rast ky hetim nuk u mundësua.
Pengesat që vinin nga regjimi e pamundësonin këtë hetim.
Dhe këto pengesa nuk i kuptojmë ndryshe përveçse metoda të fshehjes së të vërtetës.
Pra që të pengohet drejtësia.
Më 5 nëntor 2016 nuk vdiq Astriti.
Ai përherë e më shumë po bëhet i gjallë.
Më 5 nëntor 2016 vdiq shteti i Kosovës.
Vdiq edhe niveli bazik për një drejtësi të paanshme dhe të pavarur.
Vdiq përgjegjësia bazike e institucioneve për t’u ofruar siguri qytetarëve.
Vdiq funksionimi bazik institucional për përgjegjësi ndaj qytetarëve.
Vdiq edhe fija e fundit e besueshmërisë së qytetarëve në institucionet e vendit.
Më 5 nëntor të gjithë e kuptuam se jemi të gjtihë të rrezikuar, dhe se pavarëishst çka ndodh askush as nuk thirret në përgjegjësi e as nuk merr përgjegjësi.
Dhe në këtë përvjetor ne edhe një herë e bëjmë të gjallë kërkesën tonë, të të gjithëve:

DREJTËSI PËR ASTRIT DEHARIN

Qeveria e Republikës së Kosovës ka afat për t’i plotësuar këto kërkesa deri më 5 shkurt 2018.

1. Lejimi dhe nisja e hetimeve të pavarura dhe të gjithanshme sipas kërkesës së familjes Dehari dhe avokatit.

2. Shkarkimi nga pozitat zyrtare për t’i hapur rrugë hetimeve i:
Dhurata Hoxhës, (ishministre e Drejtësisë, tani Ministre e Integrimit)
Shpend Maxhunit, (Drejtor i përgjithshëm i Policisë)
Nexhmi Krasniqit (Komandantit të Policisë Rajonale në Prizren)
Fatos Makollit (Drejtorit të Njësisë Kundër Terrorizëm)

3. Këshilli Prokurorial i Kosovës ka afat deri më 5 shkurt 2018 që të shkarkojë nga çdo funksion brenda sistemit të drejtësisë në Republikën e Kosovës
Sylë Hoxhën, (ish-Kryeprokuror i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, tani prokuror i Prokurorisë Speciale të Kosovës)
Metush Biraj, (Prokuror i Prokurorisë Themelore të Prizrenit i ngarkuar me rastin e Astrit Deharit)
Abdurrahim Islami, (Prokuror i Prokurorisë Speciale të Kosovës i cili ka udhëhequr ndjekjen e Astrit Deharit dhe të 5 aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje për sulmin mbi ndërtesën e Kuvendit.

*Opinionet e autorëve nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe opinionin e paradoks.info.


Etiketa: