04:17 pm - Monday 27 September 2021
25°C
Tiranë

Shqipëria zhvendos Muxhahidinët në ish-bazën ushtarake të Bizës: frikë për sulme nga shërbimet sekrete

Paradoks | 14:19 - 04.09.2017

Tiranë – Me financimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, po ndërtohet vendqendrimi i ri i opozitarëve iranianë në Shqipëri, pikërisht në një bazë ushtarake të vjetër pas Malit të Dajtit.

Rreziku nga një sulm prej shërbimeve sekrete iraniane, ka bërë që qeveria shqiptare të vendosë largimin nga zona e Vorës të muxhahidinëve, duke e vendosur në një vend që të jetë më i sigurt.

Vendi ndodhet 25 kilometra larg Tiranës, pranë zonës së Bizës dhe është një bazë e madhe e ushtrisë shqiptare, e cila prej kohësh nuk përdoret nga Forcat e Armatosura.

Qëndrimi i muxhahidinëve në një zonë të banuar dendur siç është ajo e City Park, ka brenda rrezikun që nëse ndodh diçka, jo vetëm të dëmtohen muxhahidinët dhe familjarët e tyre por edhe civilët që jetojnë në zonë, si dhe kalimtarët, pasi aty pranë ndodhet autostrada Tiranë-Durrës.

Preçedenti i Gërdecit, edhe pse nuk ka ngjashmëri në këtë rast, pasi nuk kemi të bëjmë me zonë me municione, është një mësim.

Irani ka zgjeruar veprimtarinë e spiunazhit ndaj opozitarëve, duke sjellë në Tiranë një sektor të plotë që është specializuar në luftën ndaj opozitarëve.

Diplomatët e rinj të iranit janë pjesëtar të shërbimit sekret, me një përvojë të gjatë të punës me grupin MEK.

Madje, mësohet se shërbimi sekret iranian ka arritur të depërtojë brenda njerëzve, duke shfrytëzuar jo vetëm lidhjet e vjetra por edhe lidhjet normale familjare dhe fisnore të tyre.

Në Shqipëri, një muaj më parë ka mbërritur një grup nga Teherani, i cili ka kërkuar takimet me autoritetet shqiptare.

Grupi përbëhej nga njerëz që kanë lidhje farefisnore me pjesëtarë të grupit munafekin dhe kanë kërkuar kontaktin zyrtar.

E gjithë situata ka alarmuar shtabin e muxhahidinëve, që kanë kërkuar nga qeveria shqiptare një vend më të sigurtë.

Vetë kreu i muxhahidinëve Maryam Rayavi, e cila prej fillim vitit ishte shpërngulur në Tiranë, kohët e fundit është rikthyer sërish në Paris për arsye sigurie.

Ndërkaq, muxhahidinët, pas shpërnguljes nga Iraku në Shqipëri, kanë nisur një aktivitet të fortë politik kundër regjimit, duke kërkuar që Irani të demokratizohet.

Në një deklaratë të fundit të shpërndarë nga Tirana, Këshilli Iranin i Rezistencës, theksonte se “në Iran, vetëm në muajin gusht janë ekzekutuar 50 vetë.

Sejid Jamal Seyed Mousavi, një i burgosur politik sunni kurd, u ekzekutua më 23 gusht me akuzën për moharebe (armiqësi kundër Perëndisë) për shkak se kishte pasur kontakt me grupet sunnite. Ai kishte kaluar nëntë vjet prapa hekurave”.

Ndërkaq, administrata Trump ka ndërprerë çdo kontakt me qeverinë e Iranit dhe duket se marrëveshja bërthamore e firmosur nga Obama, nuk ekziston më.

Teherani zyrtar nga ana e tij, po kryen veprime të forta për t’i treguar Uashingtonit se është i gatshëm për të përballuar edhe një përplasje të armatosur.

Irani ka testuar sistemin e ri antiraketë Bavar 373, i ngjashëm me atë rus S-300, që do të lëvrohet për forcat e armatosura deri në mars 2018.

Televizioni shtetëror iranian publikoi një bazë sekrete të dronëve mbikëqyrës dhe luftarak.

“I gjithë sistemi është kompletuar dhe testet janë kryer”, deklaroi komandanti për mbrojtjen antiajrore, gjenerali Farzad Esmaili.

Irani vendosi të përfshihej në prodhimin e Bavar 373 kur Rusia ndërpreu në vitin 2010 një kontratë në kuadër të furnizimit të sistemit antiraketor S-300.

Por Uashingtoni nuk i beson deklaratave se Irani prodhon raketa, por mendon se ata janë thjesht S300 dhe është ndryshuar vetëm etiketa, e cila mban mbishkrim iranian, raporton tesheshi.com


Etiketa: