11:40 pm - Sunday 01 August 2021
21°C
Tiranë

PDK dorëlirë, naive apo frika e bën të veten!

Paradoks | 20:32 - 05.09.2017

Prishtinë – Njohësit e zhvillimeve politike parashikojnë që Qeveria Haradinaj të jetë e madhe veç për nga numri i ministrave dhe zëvendësve të tyre.

Analistët nuk e shohin qeverinë Haradinaj si një qeveri që do të marrë vendime të mëdha, pas marrëveshjes së djeshme të koalicionit mes AKR-së dhe PAN-it me të cilën duket se janë bërë numrat për krijimin e institucioneve.

Analisti Krenar Gashi thotë se Qeveria Haradinaj do të jetë e madhe vetëm në kuptimin e ministrave dhe zëvendësministrave.

“Qeveria e radhës do jetë qeveri e madhe, në kuptimin e numrit të ministrave dhe zëvendësministrave që do të ketë, marrë parasysh këtu faktin se do përbëhet nga hiq më pak se 4 parti relevante dhe një grup partish jorelevante”, tha Gashi.

Sipas tij, qeveria Haradinaj nuk do të jetë legjitime dhe prej saj nuk pritet shumë.

“Pavarësisht prej karizmës dhe lidershipit që Ramush Haradinaj do të mund ta tregonte si shef i qeverisë, qeveria e tij fatkeqësisht do të jetë qeveri jolegjitime dhe prej saj nuk pritet shumë”, tha Krenar Gashi.

Gashi deklaroi se kjo qeveri do të jetë e varur nga Lista Serbe.

“Do jetë qeveri e krijuar përmes pazarllëqeve kokë për kokë dhe jo e formësuar rreth një programi qeverisës, qeveri e siguruar nga votat e vendeve të garantuara dhe qeveri që varet nga disponimi i Listës Serbe dhe padronit të tyre presidentit Serb Vuçiq”, tha në mes tjerash analisti Gashi.

Edhe analisti tjetër Nezir Kraki konstaton se Qeveria Haradinaj nuk do të mund të kryejë punë të mëdha.

Për Krakin krijimi i ushtrisë dhe asociacionit në kohën e kësaj qeverie mund të jenë të dëmshme për Kosovën.

“Çdo vështrim serioz i realitetit në terren dhe i situatës politike na jep të mendojmë se një qeveri e tillë nuk do jetë në gjendje të kryejë punë të mëdha. Demarkacioni ndoshta edhe do kryhet, por krijimi i ushtrisë dhe i asociacionit ka rrezik të jenë në dëm të Kosovës, nëse kryhen nën hijen e varësisë serbe”, tha Kraki për KALLXO.com

Sipas Krakit, nuk është problem çështja se AKR ka kaq pak deputetë e kaq shumë pozita, sa është problem fakti se Kosova do të ketë “disa kryeministra”.

“Problemi nuk është se AKR me aq pak deputetë pritet të marrë shume poste ministrore sa është fakti se Kosova pritet te ketë disa kryeministra. Numri i posteve dhe i peshës ne koalicione është thjesht çështje e ujdive politike, por ministrat do duhej që ne çdo rast t’i jepnin llogari kryeministrit, jo liderëve të partive nga vijnë”, tha Kraki.

Ai deklaroi se Haradinaj po i hyn një pune që zor se mund ta menaxhojë.

“Kur e shtojmë këtu numrin e partive që do jenë pjesë e kësaj shumice, druaj se zoti Haradinaj po i futet një punë të pamenaxhueshme duke qenë në krye të një kombinimi qe veç qeveri s’mund të quhet”, tha Kraki.

Edhe Krenar Gashi e komentoi marrëveshjen PAN- AKR për qeverisej të përbashkët.

“Nuk është fare për t’u çuditur fakti që kjo parti do të marrë pozita kyçe në kabinetin qeverisës. Dhe këtu nuk ka asgjë te keqe. Ajo që mbetet jashtëzakonisht e keqe, është fakti që marrëveshja për bashkëqeverisje në fakt është edhe një marrëveshje e radhës për ndarjen e posteve. Pra, nuk kemi pare negociata për programin qeverisës, për politikat konkrete publike, por thjesht negociata për ndarje postesh, si rëndom”, shtoi Gashi.

Kryesuesi i Kuvendit, deputeti Adem Mikullovci sot gjatë ditës i ka thënë KALLXO se pret njoftimin zyrtarë nga PAN-i se i posedon numrat për të vazhduar tutje me thirrjen e vazhdimit të seancës konstituive.

Sipas marrëveshjes së nënshkruar dje me koalicionin PAN, AKR-ja do ta ketë pozitën e zëvendëskryeministrit të parë si dhe do të drejtojë 5 ministri- Ministrinë e Punëve të Jashtme, Ministrinë e Punëve të Brendshme, Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Ministrinë e Bujqësisë dhe Ministrinë e Planifikimit Hapësinor.


Etiketa: