10:12 pm - Wednesday 11 December 2019

An error has occurred with the ICIT Weather Widget, if the issue persists through refreshing please contact the site administrator.

LDK nuk heq dorë nga zgjedhjet

Paradoks | 16:43 - 07.05.2018

Nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu, deklaroi sot se kjo parti nuk e ka ndërmend të heqë dorë nga zgjedhjet, pasi qeveria aktuale sipas tij, nuk ka legjitimitet.

Ai tha se do të tentohet të arrihet konsensus me subjektet e tjera për të zgjidhur çështjet e rëndësishme për Kosovën, në mënyrë që më pas të vazhdohet me zgjedhje të lira dhe demokratike.

Këto komente Veliu i bëri pas takimit që pati me përfaqësues të Partive Popullore Evropiane, ku kishte kërkuar mbështetje për Kosovën në përmbushjen e agjendës evropiane.

Sipas tij, kriza aktuale në vend nuk tejkalohet ndryshe përpos se me zgjedhje të reja të lira, në mënyra që vendi të ketë një qeveri legjitime.

“Ne nuk kemi hequr dorë nga zgjedhjet, sepse zgjedhjet në një situatë të tillë të krizës janë të nevojshme dhe të domosdoshme, sepse pa zgjedhje kjo krizë nuk tejkalohet. Kështu që ne në radhë të parë i kemi dhënë rëndësi konsensusit. Nëse konsensusi nuk ka sukses, atëherë ne do të shkojmë në hapin tjetër”, tha ai.

Numri dy i LDK-së bëri të ditur se do të marrin pjesë në tryezën që do të mbahet nesër me partitë e tjera politike, me ç’rast theksoi se LDK ka konfirmuar qysh në fillim pjesëmarrjen meqenëse ka qenë iniciatorë e këtyre takimeve.

“Edhe atë ditë e kemi konfirmuar pjesëmarrjen, edhe sot po e konfirmojmë pjesëmarrjen. Do të jemi pjesë e tryezës dhe sigurisht do ta japim kontributin tonë në arritjen e një konsensusi nëse ka vullnet edhe prej partive tjera, konkretisht prej subjekteve të koalicionit për çështje që janë me interes për Kosovën për një periudhë të caktuar kohore në mënyrë që t’i tejkalojmë këto tema dhe pastaj të bisedojmë për datën e zgjedhjeve në mënyrë që qeveria që del nga zgjedhjet e lira të jetë me legjitimitet, sepse sikurse e dini kjo qeveri e ka humbur legjitimitetin”, tha ai.


Etiketa: