06:09 pm - Friday 26 February 2021
13°C
Tiranë

Kandidimi në Skënderaj i Bekimit të Hamzës: A po futen Jasharajt në politikë?

Paradoks | 21:08 - 23.08.2017

Një risi po ndodh në Skënderaj. Një pinjoll Jasharajsh që kandidon për kreun e komunës, Bekim Jashari, i pari rast që pas ’99 kur një anëtar i familjes legjendare hyn në politikë, ka çuar në tërheqjen e PDK-së nga gara, parti që e ka bastion kryeqendrën e Drenicës. Në terma aritmetikë, partia e Thaçi – Veselit, forcë e krahut të luftës, do ketë një komunë më pak. Ndërsa në terma politikë, shtrohet çështja nëse kandidimi i djalit të Hamzës a përbën dhe një faqe të re në politikën kosovare, ku Jasharajt nisin një mision të ri me efekt për tërë Kosovën.

Familja Jashari, në veçanti kryefamiljari Rifat Jashari në vitet e fundit ka adresuar kritika të shumta në drejtim të qeverisë së udhëhequr nga PDK dhe nga partnerët e saj të koalicionit. Ai është shprehur i zhgënjyer me keqqeverisjen, nivelin e lartë të korrupsionit dhe moszhvillimin ekonomik të vendit, ku si pasojë një pjesë e madhe e qytetarëve të Kosovës përballen me varfëri. Ai në disa intervista ka deklaruar se kjo nuk është Kosova që e kanë dëshiruar dëshmorët.

Gjatë një emisioni në RTK, Rifat Jashari disa herë ka pyetur prej nga kjo pasuri aq e madhe e pushtetarëve, përderisa shumica e popullit po jeton gjithnjë e më vështirë. Jashari është shprehur të jetë i zhgënjyer me mosfunksionimin e ligjit dhe rendit.

“Të lumtë ata për vete, edhe po them prapë, shyqyr që s’janë gjallë, shyqyr që s’kanë shpëtuar se ndoshta do të zhgënjeheshin….Pasha Zotin që m’ka falë, do të doja të isha aty e të mos isha ku jam sot, sepse nuk e kam menduar që Kosova do të vinte në këtë gjendje”, ka thënë Rifat Jashari.

Ai tha se njerëzit nuk trajtohen të barabartë para ligjit dhe se ka të tillë që bëjnë keqpërdorime të shumta, por nuk i japin llogari askujt, duke rikujtuar se për këtë nuk ishte derdhur i gjithë ai gjak.

Për pushtetarët aktualë, ka thënë se dikur kritikonin ata që kanë qenë më herët në pushtet, ndërsa tani nuk bëjnë asgjë më shumë.

“Krejt kjo garniturë qeveritare, që është tani në pushtet, ka bërë akuza të mëdha ndaj qeverive të kaluara, se po e hanë shtetin, se po e keqpërdorin buxhetin e shtetit. Më tregoni çka bënë këta që janë tani në qeveri? Çka bënë më shumë sesa të tjerët?”, ka pyetur Rifat Jashari, vëllai i komandantit legjendar, Adem Jashari.

Dhe pas Skënderajt, Jasharajt e qëndruar mënjanë deri më tani, a do kenë dhe ambicie më të mëdha politike? Kjo pritet të shihet më kohën, nëse Bekimi, si “provë e parë” do jetë i suksesshëm.

Ja si erdhi deri te kandidimi i Bekim Jasharit dhe tërheqja e PDK-së

Përplasja ndërmjet dy kushërinjve, Nuredin Lushtaku dhe Sami Lushtaku ka bërë që në garë të futet Bekim Jashari. I pari ka qenë deputet dhe zëvendësministër. Siç u raportua, atij, Kadri Veseli i ka premtuar kandidimin për kryetar të Skënderajt vetëm që të mos kandidojë për deputet në zgjedhjet e fundit nacionale. Por lirimi nga burgu i Sami Lushtakut dhe ambicia e tij për të udhëhequr sërish me Skënderajn ka bërë që Lushtakët të mos pajtohen se cili do të jetë kandidati.

Duke parë këtë situatë, Bekim Jashari ka shprehur gatishmërinë të kandidojë si kandidat i pavarur dhe një ide e tillë u ka pëlqyer dhe qytetarëve të Skënderajt, të cilët kanë organizuar një peticion për t’i bërë thirrje atij që të udhëheqë qytetin.

Në këtë situatë PDK është dorëzuar. Duke mos dashur që t’i “matë forcat” me Bekim Jasharin, ata i kanë ofruar përkrahje kandidaturës së tij.

Pasi që PDK nuk garon për kryetar dhe i ka ofruar përkrahjen Bekim Jasharit, në zgjedhjet e 22 tetorit pritet ai të fitojë bindshëm dhe mbetet për t’u parë se si do të qeverisë me këtë komunë, që ndoshta do të jetë model edhe i qeverisjes në nivel qendror.

Kujtojmë që Bekim Jashari në mars të vitit 2015 (në Epopenë e UÇK-së) i është kundërvënë publikisht krerëve qeveritarë për shkak se aty nuk është intonuar fare himni kombëtar, por vetëm himni i shtetit të Kosovës.

“Sot për fat të keq si asnjëherë më parë, si asnjëherë që nga përfundimi i luftës nuk jam ndier më i turpëruar. As nuk po ndjehem mirë që ndodhem në mesin tuaj. Për herë të parë pas luftës në një Epope nuk po intonohet himni kombëtar. Turp”, ka thënë i nervozuar Jashari.

Nga Bashkim Kastrati


Etiketa: