03:48 pm - Sunday 28 February 2021
8°C
Tiranë

Haradinaj dhe Rama nisin organizimin e Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut

Paradoks | 15:04 - 27.09.2017

Tiranë – Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, është pritur sot me nderime të larta në Tiranë nga kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, që është edhe vizita e tij e parë jashtë vendit.

Tek Pallati i Brigadave, kryeministri Haradinaj është pritur me ceremoni ushtarake. Pas kësaj, nën kryesinë e dy kryeministrave, është mbajtur takimi i parë inaugurues i Komisionit për organizimin e Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj është shprehur i kënaqur që një organizim i tillë, do të bashkoj edhe më tej shqiptarët.

“Kosova ka një rrugë të vështirë të krejt etapave të veta, por çdoherë e ka ndjerë që nuk është vetëm. Edhe në momentet tona më të vështira nuk kemi mbetur vetëm. Pra, populli i Shqipërisë, bashkëkombësit tanë kanë qenë me ne në çdo kohë” ka thënë kryeministri Haradinaj.

Viti i Skënderbeut do të nis me mbledhjen e dy qeverive më 27 nëntor e vijon të nesërmen më 28 nëntor në 105 vjetorin e Pavarësisë. Kryeministri Rama e quajti këtë vit si motiv për të ripërtërirë lidhjet me njëri-tjetrin dhe si një yll orientues të rrugës së përbashkët, në funksion të një të ardhme të merituar për të gjithë shqiptarët.

“Nuk kishte se si sot, teksa kryeministri i Kosovës e nderon Shqipërinë me vizitën e tij zyrtare, mos të nguteshim që të çelnim siparin e përpjekjes së përbashkët për konkretizim të një viti simbolik që e duam të favorshëm dhe frymëzues për të gjithë shqiptarët, viti nën shenjën e paperëndueshme të Gjergj Kastriotit- Skënderbeut” tha kryeministri Rama.

Nën kujdesin simbolik të Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçit, dhe Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, Viti i Skënderbeut do të bëjë bashkë në aktivitete të ndryshme botën akademike e universitare të dy shteteve, por edhe të vendeve tjera ku jetojnë shqiptarët.


Etiketa: