04:31 pm - Monday 27 September 2021
25°C
Tiranë

Garë e ngushtë – Prishtina e Prizreni në pritje në numërimit të votave me kusht

Paradoks | 09:41 - 20.11.2017

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sipas të dhënave të postuara në faqen zyrtare, ka procesuara 100 për qind të vendvotimeve. Por në këto rezultate nuk janë përfshirë votat me kusht, atyre më post dhe personave me nevoja të veçanta.

Në disa nga 19 komunat ku është mbajtur raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetar të komunave në Kosovë, përfshirë këtu qendrat e mëdha si Prishtinën dhe Prizreni, përqindja e kandidatëve është e ngushtë.

Në Prishtinë, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje Shpend Ahmeti ka fituar 50,19 ndërkaq, kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arban Abrashi ka fituar 49,82. Ndërkaq, kandidati i Vetëvendosjes në Prizren Mytaher Haskuka ka fituar 50,32 për qind ndërkaq kundërkandidati i tij nga Partia Demokratike e Kosovës, Shaqir Totaj ka fituar 49,68 të votave.

Numërimi i votave më kusht ende nuk është bërë e ditur se kur do të bëhet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, shkruan Evropa e Lirë.

Ndërkohë, të drejtën për të votuar e shfrytëzuar 517,360 nga 1 milion e 353 mijë e 613 qytetarë me të drejtë vote.

Raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetar të komunave nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe nga koalicioni i organizatave joqeveritare ‘Demokracia në Veprim’, është vlerësuar i qetë dhe pa ndonjë parregullsi, që do të cenonte integritetin e zgjedhjeve.

Prokurori i Shtetit përmes një komunikatë për media ka bërë të dituar se në tërë territorin e Republikës së Kosovës janë raportuar 23 raste lidhur me procesin zgjedhor që është zhvilluar sot.

“Pas marrjes së informatave dhe pas verifikimit të tyre nga prokurorët në tërë territorin e Republikës së Kosovës, rezulton se nga 23 raste të raportuara, janë intervistuar 7 persona, 6 prej tyre janë liruar pasi që nuk ka pasur elemente të ndonjë vepre penale që lidhen me procesin zgjedhor”, thuhet në njoftimin për media të Prokurorit të Shtetit.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie, e ka cilësuar raundin e dytë të zgjedhjeve lokale si demokratike.

“Zgjedhje të zakonshme me parregullsi të vogla janë shenjë e mirë për demokracinë në rritje të Kosovës. Mirëpresim bashkëpunimin me zyrtarët e zgjedhur, me qëllim që të bëjmë progres në Kosovë”, ka shkruar në Twitter ambasadori Delawie.

Po ashtu, krerët e institucioneve të Kosovës kanë përgëzuar qytetarët për një proces të qetë dhe demokratik.

Zgjedhjet në Kosovë janë vëzhguar nga më shumë se 12 mijë vëzhgues nga partitë politike, organizatat joqeveritare, nga Bashkimi Evropian si dhe ambasadat e akredituara në Prishtinë.

Në bazë të rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (të cilat mund të ndryshojnë pas publikimit të rezultateve përfundimtare), partitë politike kanë fituar: Lidhja Demokratike e Kosovës ka fituar në 8 komuna; Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në 7 komuna; Partia Demokratike e Kosovës në 5 komuna; Lëvizja Vetëvendosje në 3 komuna; Nisma për Kosovën në një 1 komunë; Aleanca Kosova e Re në një 1 komunë; Kandidatët e pavarur në 2 komuna.

Nga komunitetet jo shumicë: Lista Serbe në 10 komuna; Partia Demokratike Turke e Kosovës në 1 komunë. /Rel/


Etiketa: