09:31 pm - Wednesday 11 December 2019

An error has occurred with the ICIT Weather Widget, if the issue persists through refreshing please contact the site administrator.

Duhani dëmton çdo qelizë të trupit të duhanpirësit

Paradoks | 00:02 - 28.11.2017

Konsumimi i duhanit, po përhapet gjithmonë edhe më tepër në shoqërinë shqiptare. Mjekja-specialiste, pranë Dispanserisë së Sëmundjeve të Mushkërive në Tiranë, Matilda Gjergji, tregon për “Shekulli”-n, rreth dëmeve që shkaktohen në organizëm nga pirja e tij. Ky ves dëmton jo vetëm mushkëritë, por çdo qelizë dhe ind të trupit tonë. Ajo tregon se, edhe pesë cigare në ditë kanë efekte anësore. Duhani dëmton jo vetëm duhanpirësin, por edhe personat pranë tij. Sipas saj, shqetësues është fakti që duhani ka nisur të konsumohet në masë nga gratë dhe fëmijët. Megjithëse shfaqen shenjat e para të sëmundjeve, që shkaktohen nga pirja e duhanit, shpesh njerëzit nuk i drejtohen mjekut të familjes apo mjekut specialist. Tashmë në mjekësi ofrohet asistencë me medikamente të ndryshme për të ndihmuar lënien e duhanit.

Doktoresha Gjergji, cilat janë sëmundjet më serioze që shkaktohen nga duhani?

Pirja e duhanit dëmton pothuajse çdo organ në trupin e njeriut. Në morinë e dëmtimeve të duhanit mund të përfshijmë kryesisht sëmundjet kronike të mushkërive, të zemrës, të enëve të gjakut, të trurit, të sistemit tretës, riprodhimit etj. Dëmtime të rënda konsiderohen efektet shkatërruese që ka duhani mbi qelizat dhe strukturat e tjera të rrugëve ajrore, sidomos ato në nivelin bazal, ose bronko-alveolar të mushkërive. Fillimisht dëmtimet e mushkërive mund të nisin si minimale dhe të përshkruhen nga duhanpirësit, si kollë e thatë. Me kalimin e viteve ajo mund të kthehet në kollë me sekrecione, ose në kollë të njomë. Prezenca e kollës së njomë te duhanpirësit nuk është gjë tjetër, veçse manifestimi më tipik i bronkitit kronik, që vjen nga duhani. Gjithashtu veçantia e kollës te këta të sëmurë është se, ajo shfaqet kryesisht në mëngjes herët. Nëse nuk ndërpritet pirja e duhanit dhe nuk diagnostikohen me kollë bronkiti kronik, këta të sëmurë mund të preken edhe nga sëmundje më të rënda si: bllokim dhe ngushtim të pakthyeshëm të bronkeve dhe rrugëve të tjera ajrore. Gjithashtu, këta të sëmurë jo rrallëherë bëhen astmatikë dhe kanë nevojë për marrjen e pompave dhe mjekimeve të tjera, me synim lehtësimin e shenjave të komplikacioneve të pirjes së duhanit. Të gjithë e dinë lidhjen e drejtpërdrejtë që ka kanceri i mushkërive me pirjen e duhanit. Në mbi 90 për qind e rasteve, kanceri i mushkërive ndodh te njerëzit që kanë pirë duhan. Studime shkencore kanë demonstruar lidhjen e drejtpërdrejtë të pirjes së duhanit me frekuencën në rritje të kancerit, jo vetëm në mushkëri, por edhe në organe të tjera, si për shembull në stomak, zorrë, prostatë etj. Në zemër dhe në enët e gjakut dëmet që sjell kjo sëmundje ka lidhje me rritjen e tensionit të gjakut, rritje në ritmin e zemrës, trashjen dhe shtimin e mundësive për dëmtime arteriale, gjithashtu edhe në rritjen e rrezikut për tromboza dhe hemorragji.

Cilat janë problemet që hasen më dendur te duhanpirësit? Ato janë vetëm shëndetësore?

Në të shumtën e rasteve këto subjekte preken nga problemet e mushkërive, jo vetëm nga irritimi i rrugëve të ajrit. Por nga vështirësia në frymëmarrje dhe nga lodhja e shpejtë, preken gjithmonë edhe më shumë mushkëritë. Kryesisht nga virozat si: gripi, ftoja, pleviti etj. Në fillim shumë duhanpirës ankohen për marrje mendsh dhe të vjella, për këtë nuk qëndrojnë dot në këmbë, sepse janë të pafuqishëm, në gjendje apatie etj. Deri tani po sqarojmë vetëm dëmet që lidhen drejtpërdrejt me pirjen e cigares, por nuk duhet të harrojmë dëmet që vijnë nga pirja pasive e duhanit nga individë që, edhe pse nuk e konsumojnë duhanin, rreziqet i marrin nga të tjerët, kryesisht kur cigaret pihen në vende publike dhe të mbyllura. Për fat të keq te këta individë paraqiten edhe problemet e mosushqyerjes mirë. Nikotina dhe elemente të tjerë konkurrojnë oksigjenin, prandaj në vend që në qeliza të shkojë ky element, që ka rëndësi të madhe për djegien e ushqimeve në qeliza për energji është i domosdoshëm edhe për transportin e ushqimeve në këto destinacione indore. Elemente helmues dhe toksiciteti i shprehur te duhanpirësit nuk vihet re vetëm te zverdhja e gishtave dhe e dhëmbëve, apo te nxirja e mushkërive, por në çdo hapësirë të padukshme brenda dhe jashtë-qelizore. Blozës së duhanit nuk i shpëton asnjë organ, apo sistem i trupit njerëzor, që nga sistemi nervor dhe deri te rrudhat në fytyrë, plakja e parakohshme, thonjtë dhe flokët e tharë dhe të dobësuar ndjeshëm.

Pas sa kohësh shfaqen problemet e para?

Simptomat e para fillojnë të shfaqen qysh në vitin e parë të nisjes së duhanit. Sa më shumë cigare të pihen, aq më i madh është rreziku i kronicizimit dhe i shkaktimit të shenjave dhe sëmundjeve të ndryshme. Por elementet klinike nuk mungojnë as te njerëzit që pinë më pak se pesë cigare në ditë. Koha se kur mund të shfaqen dëmtimet nga pirja e duhanit është e lidhur ngushtë edhe me faktorë të tjerë trashëgimie, mjedisi apo sëmundje të tjera, që mbart individi kur pi duhan.

A mund të rikuperohen dëmet nëse e lëmë duhanin?

E mira do të ishte që çdo individ të mos konsumonte duhan asnjëherë në jetë. Sa më i madh numri i cigareve, sa më e madhe koha e ekspozimit ndaj nikotinës dhe shumë produkteve të tjera të dëmshme, që ka duhani, aq më të vogla janë mundësitë e rikuperimit të dëmeve dhe komplikacioneve të tij. Asnjëherë nuk është vonë të heqësh dorë nga duhani, madje edhe tek ata individë që e kanë konsumuar për dekada, ka mundësi zbutjeje të simptomave, mundësi stabilizimi apo rikthimi të pjesshëm të komplikacioneve të duhanit. Pirja e duhanit ka edhe efektin e vartësisë ndaj saj, prandaj çdo individ që kërkon të largohet nga kthetrat e tymit të duhanit duhet të kërkojë asistencë mjekësore të specializuar.

Asistenca mjekësore

Ka medikamente që të ndihmojnë në lënien e duhanit?

Për patur sukses në luftën kundër duhanit, apo në lënien e duhanit, duhet të jenë të harmonizuara mirë; vullneti i individit dhe asistenca mjekësore. Në tregun botëror dhe në vendin tonë ekzistojnë disa forma terapeutike për zëvendësimin e nikotinës. Ato që ndërpresin cigaren, më së shumti ofrohen si cigare elektrike, çamçakëzë, patch në lëkurë, spri në hundë, kokrra poshtë gjuhës etj. Përveç këtyre ka edhe mjekime të tjera, që nuk synojnë zëvendësimin e nikotinës, por trajtojnë efektet negative si: stresin, depresionin dhe çrregullimet e ndryshme psikike, që vijnë si rrjedhojë e ndërprerjes së duhanit. Në të ardhmen shkenca parashikon të zhvillojë terapinë imunonikotinike, ku do të tentohet të shkëputet vartësia e njerëzve ndaj nikotinës.

Shqiptarët nuk e kanë kulturën t’i drejtohen mjekut për sëmundjet e duhanpirjes

Cilat grupmosha kërkojnë asistencën e mjekut për problemet që shkakton duhani?

Akoma nuk është bërë kulturë që në vendin tonë njerëzit t’i drejtohen që në fillimet e pirjes së duhanit mjekut të familjes apo specialistit. Fatkeqësisht te ne paraqiten individët, që kanë vite dhe dekada që pinë cigare dhe kur dëmtimet që përmendëm më lartë janë bërë prezentë. Në klinikë vijnë ata duhanpirës, që nuk marrin më frymë lirisht, kur kanë kollë të fortë dhe me gëlbazë, kur janë dobësuar ndjeshëm, kur kanë dalje të gjakut në pështymë, sekrecione etj. Kuptohet që ardhja në këto stade e limiton eficencën terapeutike, por asnjëherë këta individë nuk duhen lënë pa u trajtuar, sepse problemet mund të precipitojnë më tej dhe të kthehen në kërcënim për jetën. Pirja e duhanit po dëmton gjithnjë dhe më shumë, edhe për shkak të ndotjes mjedisore, pra ata duhet të përballen si gjithë të tjerët edhe me ndotjen e ajrit nga tymra industriale, lëndë djegëse të makinave, mbeturina që lëshojnë substanca toksike në ajër etj. Moshat që paraqiten më shumë në klinik janë moshat e treta, ose mbi 65 vjeç. Është shtuar shumë edhe numri i vizitave të adoleshenteve dhe të grave për sëmundje të lidhura me pirjen e duhanit, çka dëshmon që ky fenomen është përhapur shumë edhe në këto grupe sociale. Doja të nënvizoja faktin se, duhet të bëjmë përpjekje në luftën kundër pirjes së duhanit. Duhet medoemos të shtohen informacionet rreth rreziqeve, që paraqet duhani, duke filluar që në moshat e vogla dhe adoleshente, ku janë fillesat edhe kontaktet e para me duhanin. Pjesë panoramike e paraqitjes së problemit të duahnpirjes nuk duhet të konsiderohen vetëm bluzat e bardha, por të gjithë faktorët e lidhur me këtë fenomen, pra e gjithë shoqëria jonë.

Cilat janë rreziqet e pirjes së duhanit pasiv?

Duhanpirësit pasivë kanë të njëjtat pasoja si ata aktiv, veçanërisht kur i referohemi kancerit të mushkërive dhe sëmundjeve të zemrës. Për shembull, duhanpirja pasive rrit rrezikun e kancerit të mushkërive apo sëmundjeve të zemrës me rreth 25 për qind. Foshnjat dhe fëmijët janë veçanërisht të ndjeshme ndaj efekteve të duhanit pasiv. Një fëmijë, i cili është i ekspozuar ndaj duhanit pasiv rrezikon rritjen e mundësisë së zhvillimit të infeksioneve të rrugëve të frymëmarrjes, të kollës kronike, edhe në qoftë se ata kanë astmë, apo përkeqësim të simptomave të tyre.

Varësia nga duhani është vetëm psikologjike

Bledi Lutaj është një duhanpirës, i cili ka 9 vjet që konsumon duhan. Si shumica e të rinjve e ka nisur duhanin që në periudhën e gjimnazit. Fillimisht e ka nisur si dëshirë për të rënë në sy, sepse duhani ishte një mënyrë për të qenë “cool”. Më pas vijoi si inerci për të qenë pjesë e grupit, ku të gjithë të ofronin nga një cigare dhe ti, nuk mund t’i thoshe dot jo. Dikur pinte një ose dy cigare, pastaj për mbrëmjen e maturës bleu paketën e parë, ndërsa tani që është 27 vjeç pi 20-30 cigare në ditë.

Bledi është i vetëdijshëm për dëmet që shkakton pirja e duhanit, madje në ditët kur konsumon shumë cigare ndjen shqetësime, si për shembull dobësi fizike dhe kollë. Për këtë arsye, ai ka tentuar disa herë ta lërë cigaren, mirëpo nuk ja ka dalë dot, pasi tundimi është më i fortë, sesa frika e sëmundjeve që shkaktohen nga duhani. “Shumë herë kam tentuar ta lë duhanin. Kur kam qenë në Gjermani shtyhesha ta lija për arsye ekonomike, pasi një paketë kushtonte 6 euro. Mirëpo, përpjekjet shkonin dëm dhe pas një jave e nisja sërish. Para një viti e lashë 3 muaj duhanin. Fillova të ndjeja anët pozitive të një jete pa duhan, mirëpo sërish u ktheva te vesi i vjetër. Faktikisht edhe tani jam në tentativa për ta lënë. Them shpesh që, kjo është paketa e fundit që blej, por nuk kam arritur ta lë. Tundohem shumë dhe kur konsumoj kafe, pi dhe një cigare. Kështu që, nëse dua të lë cigaren duhet ta lë edhe kafen”, shprehet ai.

Bledi ka tentuar ta lërë duhanin edhe me ndihmën e disa mjekimeve që ofrohen në farmaci për heqjen e varësisë të duhanit. Ai ka përdorur çimçakizë me nikotinë, mirëpo edhe kjo përpjekje i ka shkuar dëm. “Është e gjitha psikologjike. Kishte raste që e ndezja cigaren, edhe kur e kisha çimçakizin me nikotinë. Mendoj se, nuk është aspak e vështirë për të lënë duhanin, por duhet që ta ndash mendjen”, tregon ai.

Ligji anti-duhan duket se po e ndihmon Bledin në “luftën” e tij ndaj këtij vesi. Qysh kur është ndaluar pirja e duhanit në ambiente të mbyllura, ai e ka rralluar shumë konsumimin e tij. Sidomos gjatë kësaj stine, që i ftohti e ka detyruar ta largojë mendjen nga duhani. “Është shumë ftohtë për të dalë jashtë për një duhan. Ne shqiptarët e kemi, edhe pak të vështirë, pasi jemi mësuar ta shijomë duhanin si sulltanët, rehat ulur dhe përtojmë të dalim te dera”, përfundon ai me shaka bisedën.

Dorjana Bezat


Etiketa: