03:15 pm - Wednesday 21 April 2021
15°C
Tiranë

A është i mundur një bashkim mes LDK-së dhe Vetëvendosjes?

Paradoks | 19:05 - 02.09.2017

Prishtinë – Kanë paralajmëruar se do të bëhen bashkë për ta çuar PDK-në në opozitë. Madje për të koordinuar dhe harmonizuar idetë dhe qëndrimet janë caktuar edhe përfaqësuesit e partive. Avdullah Hoti dhe Dardan Sejdiu janë emrat që dy subjektet politike kanë caktuar si përfaqësues të bisedimeve.

Por një bashkim mes koalicionit LAA dhe Vetëvendosjes po duket si i pamundur. Kështu të paktën beson Artan Muhaxhiri, njëri nga analistët politik në vend.

Sipas Muhaxhirit janë akuzat e fundit të kryetarit të LDK-së Isa Mustafa, i cili drejtuesit e VV-së i ka quajtur banditë dhe kriminelë.

Por ndryshe mendon një koleg i tij, po ashtu analist politik.

Ramush Tahiri thotë se edhe përkundër këtyre akuzave të rënda të Mustafës, LDK-në dhe VV-në i bashkon një qëllim: “Dërgimi i PDK-së në opozitë”.

Artan Muhaxhiri ka thënë për KosovaPress se akuzat e fundit të kryeministrit në detyrë, drejtuar VV-së e pamundësojnë bashkimin e tyre për ta formuar Qeverinë.

“Ekzistojnë dy mundësi që PAN apo LAA dhe VV të vijnë në pushtet. Mirëpo në bazë të zhvillimeve të fundit, opsioni i dytë LAA dhe VV është i pamundur. Pasi nuk ekziston asnjë indikacion as prej VV-së, e posaçërisht prej LDK-së që të ketë një koalicion qeveritar. LDK dhe VV kanë qenë në një pozitë të çuditshme, pasi në njërën anë i kanë pasur numrat e nevojshëm, për të ardhur në pushtet. Mirëpo në anën tjetër nuk kanë pasur vullnet, e as interes që ta bëjnë këtë gjë. Dhe akuzat e fundit të kryeministrit Mustafa duhet parë në këtë perspektivë, pasi është një lloj tentimi që të gjendet një rrugëdalje, prej mundësisë që të krijohet një qeveri me VV-në. Pra LDK nuk ka asnjë interes që ta krijojë një koalicion me VV-në dhe i duhet që ta arsyetoj këtë me ndonjë fakt. E Mustafa po i përdor konfliktet e mëhershme që i ka pasur me VV-në, derisa ka qenë në koalicion me PDK-në. Në fakt kjo duket e çuditshme pasi z. Mustafa po akuzon edhe PDK-në edhe VV-në që janë dy aleatët e vetëm teorik, për të ardhur në pushtet. Kështu që duket se ekziston një vullnet i LDK-së që të jetë në opozitë. Në anën tjetër dhe VV nuk ka treguar ndonjë iniciativë, vullnet apo ndonjë plan konkret që të vjen në pushtet. Prandaj edhe kjo gjendje është pasojë e këtyre paradokseve politike që po ndodhin”, tha ai.

Muhaxhiri nuk e sheh si opsion të mundshëm as shkuarjen në zgjedhje, pasi që thotë se akuzat e rënda të kryeministrit Mustafa ndaj VV-së, në një mënyrë i hapin rrugë dhe PAN-it që ta kërkojë një aleancë me AKR-në për të krijuar një Qeveri të re.

Por një mendim krejtësisht ndryshe e ka analisti Tahiri.

Tahiri thotë se edhe përkundër akuzave të Mustafës ndaj VV-së, LDK-në dhe Vetëvendosjen i bashkon platforma kundër PDK-së.

Ai madje ka shtuar se një qeverisje LDK-VV ka përparësi pasi që në këtë mënyrë arrihet shumica shqiptare në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

“Sa i përket koalicionit ndërmjet LDK-së dhe Vetëvendosjes e ka një të mirë sepse e arrijnë shumicën shqiptare prej 61 votash, ajo që kërkohet, por edhe shumicën parlamentare plus minoritetet do të ishte një qeveri stabile me 2/3 e votave. Unë mendoj se është e mundshme sepse i bashkon edhe platforma kundër PDK-së dhe dëshira e tyre për ta nxjerrë PDK-në në opozitë, por gjithashtu i bashkon edhe dëshira për një qeverisje më ndryshe sepse mund të arrijnë një marrëveshje për qeverisje dhe t’i kapërcejnë çështjet që konsiderohen të jenë me interes për Kosovën”, tha ai.

Tahiri konsideron se në Kosovë është duke u zhvilluar një luftë politike ndërsa thekson se akuzat që po bëhen kohëve të fundit mund të jenë edhe të vërteta.

Sipas tij, subjektet politike duhet të bashkëpunojnë për të ndërtuar Qeverinë në bazë të planit qeverisës, në bazë të afateve dhe prioriteteve.

“Në politikë nuk ka armiq të përjetshëm, ka interesa dhe unë mendoj që me gjithë akuzat që i ka LDK-ja kundër Vetëvendosjes dhe lideri Isa Mustafa, që mund të qëndrojnë ose jo, por që janë objekt trajtimi edhe për organe të hetuesisë, dhe gjithashtu edhe akuzat që i bënë për kapje të shtetit ose bashkëqeverisje LDK me PDK-në në atë rast, mund të jenë të vërteta, ato i përkasin një periudhe të caktuar. Por në politikë nuk merremi me të kaluarën por merremi me të ardhmen dhe programi i tashëm qeverisës i zvogëlon dallimet që kishin në të kaluarën. Në këtë bazë nëse ka sinqeritet, nëse ka vullnet politik nga LDK-ja dhe nga VV-ja, unë mendoj se do të arrijnë një platformë të përbashkët qeverisëse dhe do ta kemi zgjidhjen e krizës institucionale e cila po e kaplon tash e disa muaj Kosovën”, tha ai për KosovaPress.

LDK është në koalicion me AKR-në e Behgjet Pacollit dhe Alternativën e Mimoza Kusari-Lilës. Por zyrtarë të AKR-së kanë paralajmëruar se mund të dalin nga koalicioni pasi që sipas tyre me këto deklarata LDK vetëm po bën lojë.

Të enjten Isa Mustafa me anë të një postimi të gjatë në Facebook ka thënë fjalë të rënda, për PDK-në, disa ambasadorë të huaj që kanë qenë në Kosovë, njerëz nga partia e tij, LDK, por më së shumti ka akuzuar VV-në.

Përveç dosjeve që ia kanë dërguar në Gjykatë, Mustafa ka përmendur të gjitha sulmet ndaj tij ndërsa e quan atentat sulmin me yje metalikë në veturën e tij zyrtare.

“Banditët e VV dhe të tjerë ma sulmuan shtëpinë familjare në Prapashticë, në oborrin e së cilës luanin mbesat dhe nipat e mi të pafajshëm. Ma sulmuan me shishe molotovi shtëpinë time në Prishtinë, në të cilën ndodhej e vetme bashkëshortja ime. Më sulmuan me gurë nga pusia në eskortë natën deri sa kthehesha nga Suhareka. Tentuan atentatin me yje metalike të prodhuar enkas për të përmbysur makinën në të cilën udhëtoja për punë. Më gjuajtën me vezë, me gaz lotsjellës dhe sprej në Sallën e Kuvendit, ma gjuajtën makinën gjatë udhëtimit në punë dhe në shtëpi si dhe më gjuajtën në një manifestim në Podujevë”, kishte shkruar Mustafa në Facebook.


Etiketa: